Vijojnë të dalin detaje të reja lidhur me ekzekutimin e 47-vjeçarit shqiptar nga Gjirokastra. Viktima është identifikuar si Artur Bashimi (Turabi), person me precedentë penalë, i cili u qëllua me armë zjarri në kokë, në rrugën “Mihail Voda 200”, në lagjen Agios Panteleimonas.
Forca të shumta policie greke rrethuan vendin e ngjarjes, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vazhdojnë.
Sipas të dhënave, Bashimi kishte qenë i arrestuar më herët në Greqi për vjedhje dhe përfshirje në organizata kriminale. Ai u arrestua në shkurt të vitit 2022 si pjesë e një grupi që kryente grabitje në mjetet e transportit publik, ndërsa u ndalua sërish në prill 2024 për akuza të ngjashme.
Burime policore konfirmojnë se i ndjeri është vëllai i Marsel Bashimit, i njohur ndryshe me mbiemrat Shkurtaj dhe Gozhita, një emër i përfshirë në disa dosje të rënda kriminale si në Greqi ashtu edhe në Shqipëri.
Marsel Bashimi është arrestuar në korrik 2022 së bashku me Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin, të dy të akuzuar në Shqipëri për vrasjen e komisarit të policisë Artan Cuku. Hetimet greke po verifikojnë nëse ekzekutimi i Artur Bashimit ka lidhje me aktivitetin kriminal të vëllezërve Bashimi dhe konfliktet e tyre me grupe të tjera.
Vrasja e Artan Cukut
Në vitin 2017 Jambelli në shenjë hakmarrjeje përgatiti vrasjen e ish-Drejtorit Policisë Vlorë. Për realizuar këtë qëllim, ai lidhi marrëveshje me Kristaq Leçin për të realizuar vrasjen. Ky i fundit u takua edhe shtetasin M. Sh., të cilit iu premtua pagesë reth 20.000 euro dhe se do ta merrte në Gjermani pasi të kryente vrasjen, duke e bindur të kryejë krimin.
Leçi e pajisi shtetasin M.Sh., me 2 armë të llojit pistoletë, njëra tipit Zastava dhe tjetra Clock me silenciator, ndërsa vetë u vendos në ndjekje viktimës nga larg duke marrë vëzhgim. M.Sh e gjuajti të paktën 8 herë viktimën duke lënë në vendngjarje pa shenja jete. Ai u ndalua menjëherë dhe pas arrestimit nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me drejtësinë.
