Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç pretendon se është kërcënuar nga zëvendëskryeministri shqiptar në qeverinë e Podgoricës, Nik Gjeloshaj.

Zyra e shtypit e Presidencës ndau një deklaratë publike ku thotë se Gjeloshaj i ka dërguar presidentit një mori kërcënimesh dhe mesazhesh të papërshtatshme pasi Milatoviç ktheu për rishqyrtim në parlament ligjin për tatimin mbi pasuritë e paluajtshme.

Në të njëjtën deklaratë, Presidenca malazeze kërkon nga kryeministri Milojko Spajiç që të shkarkojë menjëherë Nik Gjeloshjan dhe pretendon se rastin e ka denoncuar edhe në polici.

Zyra e presidentit thotë se kërcënimet lidhen me një proces gjyqësor që ka komuna e Tuzit me një kompani private për përllogaritjen e taksës mbi tokën bujqësore. Milatoviç pretendon se Gjeloshaj si kryetar i komunës së Tuzit po pengon zbatimin e vendimeve të gjykatave që i japin të drejtë kompanisë.

Zv.kryeministri shqiptar, Nik Gjeloshaj është përgjigjur përmes një deklarate, duke akuzuar presidentin për konflikt interesi dhe lidhje të ngushta me kompaninë që ka paditur Komunën e Tuzit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *