Pavarësisht reshjeve të pjesshme të shiut që kanë rënë gjatë 48 orëve të fundit, në territorin e Librazhdit, janë regjistruar disa vatra aktive zjarri të cilat kanë përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi dhe pyje në disa zona.
Një nga vatrat më problematike ndodhet në fshatin Dorëz, Njësia Administrative Qendër, konkretisht në zonën e njohur si “Kodra e Kuqe”. Zjarri aty ka nisur prej ditës së djeshme dhe ka përfshirë disa hektarë me bimësi të ulët, shkurre dhe barishte.
Aktualisht, ndërhyrja është përqendruar edhe në masivin pyjor të këtij fshati, ku është identifikuar një vatër tjetër që vazhdon të përhapet. Në këtë zonë po punojnë 4 efektivë të shërbimit zjarrfikës dhe një mjet zjarrfikës të cilët janë mbështetur edhe nga banorë të komunitetit të kësaj zone të cilët hanë vetë organizuar për të frenuar përhapjen e flakëve.
Ndërkohë, një tjetër vatër aktive është evidentuar në fshatin Hotolisht ku po punojnë edhe sot 5 efektivë zjarrfikës që po përpiqen të neutralizojnë zjarrin. Por ndërhyrja në këtë zonë është mjaft e vështirë për shkak të terrenit të thepisur malor, duke e bërë të pamundur përdorimin e mjeteve zjarrfikëse.
Si pasojë, operacioni po zhvillohet në mënyrë manuale, duke rrezikuar sigurinë e efektivëve dhe duke e zgjatur kohën e ndërhyrjes.
Lajmi pozitiv vjen nga fshati Xhyrë, ku pas përpjekjeve të vazhdueshme, zjarri që kishte përfshirë një pjesë të masivit pyjor është shuar plotësisht. Autoritetet policore kanë arritur të identifikojnë edhe autorin e zjarrvënies në këtë zonë, duke vënë në dukje se hetimet po vijojnë për të ndjekur penalisht personat përgjegjës.
