Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar sot një takim në selinë e PD me Patrick Voller, Drejtorin për Marrëdhëniet me Jashtë të Partisë Popullore Europiane (EPP). Përmes një postimi në Facebook, Berisha bëri të ditur se takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe të hapur, ku u trajtua situata politike në vend.

Gjatë bisedës, Berisha e informoi Voller mbi atë që e cilësoi si “realitet dramatik që po përjeton Shqipëria nën narko-regjimin e Edi Ramës”, duke e akuzuar mazhorancën për manipulim të zgjedhjeve dhe kontroll të institucioneve.

Ai foli për zgjedhjet e 11 majit, që sipas tij u karakterizuan nga një “farsë elektorale”, ku u përdorën patronazhistët, teknologjitë e manipulimit dhe ndikimi i karteleve të drogës për të vendosur kandidatë të caktuar në pushtet me dhjetëra mijëra vota të fabrikuara.

Berisha falënderoi Voller dhe drejtues të tjerë të EPP, përfshirë Presidentin Manfred Weber, eurodeputetët Michael Gahler dhe David McAllister, për mbështetjen e tyre ndaj opozitës shqiptare dhe angazhimin për ngritjen e një grupi të posaçëm që do të vijë në Shqipëri për të vëzhguar nga afër situatën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds