Bankers Petroleum Albania ka bërë me dije se ka emëruar si Kryetar të Bordit Mbikëqyrës dhe Bashkëkryetar, Andrija Kojakoviç. Sipas njoftimit të Bankers Petroleun Albania, Kojakoviç do të ketë një rol qendror në mbikqyrjen e angazhimit të kompanisë me autoritetet shqiptare dhe në mbështetjen për një sqarim të plotë të situatës aktuale.

Kojakoviç ka përvojë në poste drejtuese në sektorin e naftës dhe gazit në Ballkan, përfshirë periudhën kur ka qenë Drejtor Ekzekutiv i kompanisë kroate INA d.d. (1995–1997), ku ka udhëhequr nismat e rëndësishme për ristrukturim financiar dhe ligjor. Ai gjithashtu ka shërbyer si Ambasador i Republikës së Kroacisë në disa shtete kyçe (përfshirë Kinën dhe Mbretërinë e Bashkuar), si dhe si Anëtar Bordi në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ku ka këshilluar për zhvillimin ekonomik dhe qeverisjen.

Në sektorin privat, ai themeloi dhe drejtoi Central European Oil Company, e mbështetur nga institucione të rëndësishme financiare ndërkombëtare. Emërimi i tij përforcon angazhimin e Bankers Petroleum Albania për menaxhim të fortë, transparencë dhe udhëheqje të përgjegjshme.

“Ne kemi riformuar ekipin tonë kryesor dhe punonjësit tanë janë duke u mbështetur në mënyrë të plotë. Aktivitetet e përditshme vazhdojnë pa ndërprerje të mëdha, falë drejtimit të inxhinierëve shumë të kualifikuar dhe me përvojë që po e çojnë kompaninë përpara.

Bankers Petroleum Albania mbetet plotësisht bashkëpunues me të gjitha institucionet dhe autoritetet përkatëse. Ne jemi të përkushtuar ndaj një dialogu konstruktiv dhe përputhshmërisë së plotë gjatë gjithë këtij procesi, duke vazhduar njëkohësisht të kontribuojmë në sigurinë e sektorit të energjisë dhe zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë,” thuhet në njoftim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *