Nga sot nis në gjithë vendin kontrolli i tatimpaguesve që tregtojnë produkte ushqimore dhe blegtorale, me qëllim jo vetëm formalizimin e sektorit, por edhe garantimin e cilësisë së produkteve ushqimore në mbrojtje të konsumatorit.

Më 7 korrik, Administrata Tatimore ka njoftuar rreth 12 mijë tatimpagues përmes faqes zyrtare dhe mesazheve pop-up në llogaritë e tyre në e-Filing, duke u bërë thirrje që çdo mall të shoqërohet me faturë tatimore të fiskalizuar.

Ata paralajmërohen se në rast mosrespektimi do të përballen me penalitetet e parashikuara nga ligji.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve rikujton se çdo produkt bujqësor dhe blegtoral që disponohet dhe shitet duhet të shoqërohet me faturë të fiskalizuar të blerjes, ku duhet të identifikohet qartë shitësi dhe origjina e produktit.

Gjithashtu, çdo produkt që tregtohet tek konsumatori final duhet të shoqërohet me faturë të fiskalizuar, ku të pasqyrohet saktë emërtimi dhe çmimi i produktit.

Lidhur me këtë vendim, kryeministri Edi Rama deklaroi sot se siguria ushqimore mbetet një nga pikat më të dobëta në raport me standardet e Bashkimit Europian dhe se qeveria ka nisur një proces të thellë reformimi në këtë drejtim.

Gjatë një takimi me drejtues të pushtetit lokal dhe anëtarë të kabinetit, Rama bëri të ditur se ka nisur tashmë kontrolli dhe konfiskimi i produkteve ushqimore që tregtohen pa faturë, veçanërisht në sektorin e bulmetrave dhe mishit të freskët.

“Na duhet të hedhim hapa shumë të mëdhenj përpara, sepse kjo është një nga pikat më të dobëta që kemi edhe në raport me negociatat për anëtarësim në BE”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se pezullimi i veprimtarisë së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) dhe nisja e një procesi testimi të të gjithë inspektorëve me gojë dhe me shkrim është vetëm hapi i parë.

“Nga sot ka nisur procesi i kontrollit dhe konfiskimit të qumështit dhe produkteve të tjera të bulmetit që tregtohen pa faturë. Kjo është një çështje jetike për shëndetin e konsumatorëve, veçanërisht në këto temperatura të larta, ku rreziku është shumë i madh”, theksoi kreu i qeverisë.

Sipas tij, tregtimi i qumështit, bulmetrave dhe mishit të freskët pa faturë nuk do të tolerohet më.

“Kushdo që do të tentojë ta tregtojë një mall të tillë pa faturë, do ta humbasë atë si mall. Pasiguria ushqimore është një kërcënim serioz”, tha Rama. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds