Kuvendi ka nisur me përplasje dhe debate në seancën e sotme plenare. Në fillim të nisjes së Kuvendit, Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi kërkoi llogari për shtyrjen e raportimeve të institucioneve të pavarura për Kuvendin e ri. Debati ka vijuar më tej me Kryedemokratin Sali Berisha, i cili kërkoi futjen në rend dite zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Ndërkohë që nga mazhoranca ka dalë Kryetari i grupit socialist, Niko Peleshi ka deklaruar se kjo është më e mundshme të bëhet në shtator. Taulant Balla vijoj më tej, duke theksuar se për zgjedhjen e Avokatit të Popullit ka një procedurë që duhet të ndiqet.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në seancën parlamentare lëshoi akuza të forta ndaj Partisë Socialiste dhe Kryeministrit Edi Rama, të cilin e cilësoi “Ramaduro i Evropës”.
Gjatë fjalës së tij, Berisha thumboi në mënyrë të drejtpërdrejtë deputetin socialist Petro Koçi, duke deklaruar se “kartelet e nxorën nga parlamenti”, pasi Koçi nuk do të jetë pjesë e legjislaturës së re pas zgjedhjeve të 11 majit. Ai u shpreh se Petro Koçi është i komanduar dhe nuk ka asgjë për të thënë jashtë linjës së partisë.
“Nuk ke asgjë çfarë të thuash se do thuash atë që të kanë programuar. Flet apo jo, njësoj është,” – tha Berisha.
Në të njëjtën linjë ironie, Berisha përmendi edhe dy deputetet e reja të PS-së, Sara Mile dhe Zegjine Çaushi, duke pyetur se ku janë ato gjatë denoncimit të tij për përfshirjen e krimit në zgjedhje dhe duke thënë se ato janë produkt i një procesi që ai e quajti “farsa më e shëmtuar elektorale” në historinë e Shqipërisë.