Ndërsa luftimet hyjnë në ditën e gjashtë, tensionet mes Izraelit dhe Iranit janë rritur ndjeshëm, me sulme të reja ajrore izraelite mbi Teheranin dhe kundërpërgjigje raketore nga Irani.

Sipas raportimeve, shpërthime të fuqishme janë dëgjuar në kryeqytetit iranian në orët e para të mëngjesit.

Goditjet izraelite kanë shënjestruar një fabrikë të rëndësishme të prodhimit të raketave, si dhe një akademi të lidhur me Gardën Revolucionare Iraniane.

Pak orë para sulmit, ushtria izraelite kishte lëshuar një urdhër evakuimi për banorët e lagjes së Tetëmbëdhjetë të Teheranit, një zonë që përfshin ndërtesa ushtarake dhe zona të banuara.

Në anën tjetër të konfliktit, sirenat e sulmit ajror u dëgjuan dy herë gjatë natës në Izrael, pasi Irani u kundërpërgjigj me një breshëri raketash, duke pretenduar se ka përdorur edhe një raketë hipersonike. Megjithatë, deri tani nuk ka raportime për viktima apo dëme të mëdha në Izrael.

Zyrtarë izraelitë thonë se intensiteti i përgjigjes iraniane është dobësuar ndjeshëm, çka tregon efektivitetin e sulmeve ajrore të ditëve të fundit mbi kapacitetet ushtarake të Iranit.

Ndërkohë, në një seri postimesh në rrjetet sociale, përfshirë një në hebraisht, udhëheqësi suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, theksoi se Irani nuk do të bëjë kurrë kompromis me Izraelin, duke përsëritur mesazhin e tij: “Beteja fillon.”

Tensionet vazhdojnë të përshkallëzohen me rrezik për një përplasje më të gjerë rajonale, ndërsa komuniteti ndërkombëtar bën thirrje për vetëpërmbajtje dhe dialog urgjent.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds