Gjykata e posaçme la në burg Loran Dushën, administratorin e inceneratorit të Fierit,  i ekstraduar nga Zimbabve. Interpol Tirana dhe Interpol Harare bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin nga Zimbabve, në Afrikën Jugore, të Loran Dusha, 42 vjeç, lindur në Lushnjë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Ai akuzohej nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash në në lidhje me hetimet për ndërtimin e incineratorit të Fierit, në bashkëpunim me Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin. Dusha u dënua nga Shkalla e Parë me 4 vite burg vetëm për pastrim parash, teksa Apeli i Posaçëm e ktheu pas për rigjykim dosjen e inceneratorit të Fierit.

Ai ka mbajtur postin e administratorit të inceneratorit të Fierit, ndërsa nuk ishte i pranishëm në seancën e së hënës, pasi është shtruar në spitalin e burgut për shkak të problemeve shëndetësore.

Për 42-vjeçarin, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në vitin 2022, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, të kryera në bashkëpunim.

Nga hetimet ka rezultuar se Loran Dusha, në cilësinë e administratorit të një kompanie private, ka përfituar fonde publike në mënyrë të paligjshme, përmes faturave dhe pagesave fiktive, për punë dhe shërbime të pakryera. Pas mbërritjes në Shqipëri, 42-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds