Garda Revolucionare e Iranit njoftoi se për sulmin e fundit ata përdorën një metodë të re që, sipas tyre, rezultoi në shënjestrimin e njëra-tjetrës nga sistemet mbrojtëse shumështresore të Izraelit, gjë që “i lejoi Iranit të godiste me sukses objektiva të shumëfishta”. Teherani pretendon se me metodën e re arrin të “mashtrojë” sistemin mbrojtës nga raketat “Kupola e Hekurt”, teksa goditi mëngjesin e të hënës Tel Avivin dhe Haifën.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment mbi sulmet. Zyrtarët izraelitë kanë thënë vazhdimisht se sistemi mbrojtës “Kupola e Hekurt” nuk është 100% efektiv dhe kanë paralajmëruar për ditë të vështira që i presin, raporton e përditshmja greke, Kathimerini.
“Diktatori arrogant i Teheranit është shndërruar në një vrasës frikacak që synon popullsinë civile të Izraelit për të parandaluar forcat e armatosura izraelite të vazhdojnë ofensivën që po shkatërron aftësitë e tij”, tha në një deklaratë Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz. “Populli i Teheranit së shpejti do ta paguajë çmimin.”
Numri i të vdekurve në Iran ishte të paktën 224, me 90% të viktimave që ishin civilë, sipas një zëdhënësi të Ministrisë së Shëndetësisë iraniane. Në Izrael numri i të vrarëve nga sulmet e Iranit ka arritur në 24.
Ushtria izraelite njoftoi të hënën në mëngjes se kishte sulmuar përsëri qendrat komanduese të Gardës Revolucionare dhe ushtrisë iraniane.