Kryedemokrati Sali Berisha është paraqitur në SPAK pasi u kallëzua nga gjyqtarja Irena Gjoka.
“Pra, ua them unë këtu, prisni… A ke ti ndonjë bisedë me Alket Hysenin me të cilën flitet për 500 mijë euro për ryshfet për të hequr nga klasifikimi si grup kriminal apo e ke me Mirel Mërtirin?
Tani, këtë Irena me 5 mbiemra e ka marrë si fyerje.
Pra ushtrimin e funksionit publik timin si Kryetar i partisë më të madhe opozitare dhe pyetjen, në të cilën po të ishte e pafajshme, do ta refuzonte, do ta shpjegonte, por Irena, një mashtruese ordinere, një delinkuente klasike, një person që e ka vendin në burg dhe në qeli për ato që ka bërë”, tha Berisha pasi doli nga SPAK.
Më parë ai u shpreh se nuk i njeh dosjet konkrete, Berisha tha se SPAK është institucioni i bashkëpunimit me krimin.
“Nuk i njoh dosjet konkrete, por natyrisht si institucioni i bashkëpunimit me krimin, ka me qindra mijëra qytetarë, të cilët këtu kanë zemërimin e madh, kanë problemet e mëdha.
Atëherë është Edi Rama vetë me Gjipenë. Bëhet fjalë për Gjipenë. Ua mori Gjipenë…
Dora e mafies, dora e qeverisë është kudo”, tha Berisha para se të hynte në SPAK.
Ai akuzoi institucionet për përpjekje për të fshehur të kaluarën e gjyqtares, duke përmendur një vendim të vitit 1996 për shkarkimin e saj, për të cilin, sipas tij, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka gënjyer se nuk ekziston.
Sali Berisha: KLGJ gënjeu, tha se s’ka vendim të KLD më 1996 për shkarkim të Irena Gjokës. Vetëm sa nuk i thonë ‘virgjëresha e drejtësisë’, në kuptimin moral. Mediat e Ramës shpikin lajm nga policia se nuk është i vërtetë lajmi për Irena Gjokën. Më 2024, Prokuroria thotë se po nis hetim të thelluar dhe më pas përgjigja është se nuk kemi çfarë të hetojmë. Irena ka 5 mbiemra, është dënuar dy herë në Greqi.