Trump me humor për zgjedhjen e Papës: “Do të doja të isha unë!” – Vlerëson kardinalët amerikanë mes zhvillimeve në Vatikan
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë një deklaratë me nota humori lidhur me pasuesin e Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë javën e kaluar në moshën 88-vjeçare.
Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Trump u pyet nëse kishte një emër të preferuar për drejtimin e ardhshëm të Selisë së Shenjtë. Edhe pse nuk u prononcua për ndonjë kardinal të veçantë, ai vlerësoi figurat amerikane në garë dhe shtoi me ironi:
“Do të doja të isha unë Papa. Kjo do të ishte zgjedhja ime numër një”, tha Trump.
Pavarësisht tonit ironik, Trump tregoi njëfarë interesi për zhvillimet në Vatikan, duke përmendur me respekt kardinalin Timothy Dolan nga New York-u, edhe pse ai nuk konsiderohet një kandidat potencial serioz për fronin papnor. Një tjetër emër amerikan i përfolur është kardinali Joseph Tobin nga Newark, por deri më sot, asnjë amerikan nuk është zgjedhur Papë.
Trump, bashkë me bashkëshorten Melania, mori pjesë në ceremoninë mortore në Vatikan.
Tashmë vëmendja është përqendruar te konklava që mblidhet më 7 maj, ku 135 kardinalë me të drejtë vote do të zgjedhin Papën e ri në një proces të zhvilluar me dyer të mbyllura në Kapelën Sistine – një nga momentet më vendimtare për të ardhmen e Kishës Katolike.