Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, tha se SPAK-u nuk do të ndërhyjë në fushatat e partive politike, por hetimet e tij për krimet zgjedhore bazohen në ligjin shqiptar dhe në një Rezolutë të Kuvendit. Zoti Dumani i bëri këto komente në një tryezë mbi krimet zgjedhore, një ditë pasi kryeministri Edi Rama kërkoi që të ndalet, siç u shpreh ai, “survejimi i partive politike në proces zgjedhor”. Drejtuesi i SPAK-ut tha se në qendër të punës së hetuesve do të jenë shqetësimet e njohura të vëzhguesve mbi shitblerjen e votave, presionet ndaj votuesve dhe përdorimi i burimeve shtetërore.
Në këtë takim mbi krimin zgjedhor, transparencën financiare dhe burimet shtetërore, ku morën pjesë diplomatë, politikanë, përfaqësues të KQZ-së të prokurorisë dhe të shoqërisë civile, zoti Dumani tha se grupet e verifikimit në terren të Prokurorisë së Posaçme do të jenë patjetër atje për të patur kontakt me informacionet dhe me persona, që duan të denoncojnë krimet zgjedhore, në kontakt me policinë vendore dhe me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm me qëllim që të trajtohen sa më parë në kohë reale të dhënat që mblidhen dhe nëse ka vend ose jo për të ushtruar ndjekjen penale.
Zoti Dumani i bëri sot këto komente në një tryezë mbi krimet zgjedhore, një ditë pasi kryeministri Edi Rama komentoi përmes rrjeteve sociale planet e organeve të hetimit për të ndjekur nga afër në terren krimet e mundshme zgjedhore për zgjedhjet e 11 majit.
Zoti Rama tha se përpjekja e përbashkët kundër krimeve zgjedhore duhet bërë duke mbajtur secili institucion pozicionin e vet kushtetues, në të kundërt sipas tij, do të ishte një ndërhyrje flagrante në liritë dhe të drejtat politike të shqiptareve dhe të përfaqësuesve të tyre.
Për këtë qasje të zotit Rama reagoi në tryezën e sotme edhe organizata Qëndresa Qytetare, një nga organizatoret e takimit të nivelit të lartë.
Diplomatët perëndimorë theksuan në këtë tryezë se rëndësinë që ka mbajtja e zgjedhjeve të rregullta për procesin e integrimit e Shqipërisë në BE, si pjesë e plotësimit të standarteve demokratike dhe mbizotërimit të ligjit në vend.
Organizata vendase dhe të huaja kanë raportuar shpesh për shkelje ligjore gjatë zgjedhjeve në Shqipëri, si shitblerja e votave, keqpërdorim të burimeve publike dhe presion ndaj qytetarëve, sidomos ndaj punonjësve të administratës publike, shqetësime që do të jenë në qendër të vëmendjes së hetuesve.
KQZ-ja, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK-u kanë ngritur sivjet një bashkëpunim të ngushtë në përpjekje për të parandalur dhe goditur krimet zgjedhore, që do të shfaqen gjatë fushatës dhe ditës së zgjedhjeve.
