Anëtarë të Gjykatës Kushtetuese janë vendosur nën përgjim nga Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion pas një hetimi për korrupsion që po bëhet. Pasi lajmi është publikuar në media në vend, burime të Dosja.al, konfimojnë se ky hetim i SPAK dhe përgjimet ndaj amëtarëve të GJK-së janë të vërteta.
Burimet bëjnë me dije se SPAK ka kryer përgjime ambjentale gjatë kohës që Gjykata Kushtetuese po shqyrtonte kërkesën e bërë mnga disa persona të arrestuar në lidhje me vlefshmërinë e komunikimeve në platformat SKY ECC dhe Enchrochat.
Deri më tani rezulton se njëri prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese i është drejtuar SPAK-ut, pasi ka pretenduar për ndërhyrje të papërshtatshme të një prej kolegëve të tij për çështjen “SKY/ECC”. Por duke qenë se Gjykata Kushtetuese vendosi në unanimitet për të rrëzuar kërkesën mbi paligjshmërinë e komunikimeve SKY, kjo tentativë e SPAK duket e tepruar.
Informacioni i mbërritur në SPAK nuk dihet se me çfarë baza është apo vërtetësia e tij, por shqetësuese është fakti që përgjime te tilla për gjyqtarët krijojnë një situatë intimiduese dhe shantazhuese. Shtojmë faktin se deri më tani Gjykata Kushtetuese ka marrë vendime, në favor të pretendimeve të SPAK-ut. Por ka raste të ndryshme që gjyqtarë të caktuar të Kushtetueses, mund të mos marrin vendime në favor të SPAK dhe kjo krijon një strukturë shqetësuese për këta gjyqtarë, pasi mund bien pre e presionit të SPAK.
Në këto kushte, është detyrë prioritare e kryetares së Gjykatës Kushtetuese që të kërkojë sqarime nëse ekziston realisht përgjimi nga SPAK-u dhe për cilën arsye. Kërkesa për sqarim nuk është thjesht për t’u siguruar mbi ligjshmërinë e veprimeve të Prokurorisë së Posaçme, por, mbi të gjitha, për të ruajtur themelet e Kushtetutës dhe të Shtetit. Në rast se një institucion hetimor shantazhon dhe kërcënon gjyqtarët kushtetues për shkak të vendimmarrjes së tyre, atëherë kjo nuk është as më shumë e as më pak se sa një “puç kushtetues”.
