Krim e ka konsideruar kreu demokrat Sali Berisha mosrritjen e pensioneve për pensionistët shqiptarë. Gjatë takimit të zhvilluar në Elbasan, Berisha tha se Mali i Zi nuk ka asgjë më shumë se Shqipëria që atje pensionet të jenë 3 herë më të larta se në vendin tonë.
“Edi Rama, duke njohur krimin që ka bërë ndaj pensionistëve, ndërmori vallën e pashpirtësisë, ndërmori një seri takimesh një muaj e gjysëm se si t’i mashtronte këta njerëz.
Se si e si fajin e kanë biznesmenët.
Po pse e paskan biznesmenët fajin, kur kryeministri ka mbledhur prej tyre 8.2 miliardë euro.
8.2 miliardë euro të dashur miq janë dy buxhete të vitit 2008.
Ç’faj paskan biznesmenët këtu? Për të bërë atë që pensionistët të shohin me urrejtje biznesmenët dhe të besojnë se këta janë fajtorë dhe jo qeveria. Cinike!
Fajin e ka ajo që trashëguam dhe ajo që trashëguam është kjo. E di çdo pensionist, gjetëm pensionin minimal 36 euro, e rritëm në 82 euro. Gjetëm pensionin mesatar 70 euro, e rritëm në 105 euro.
Sot, pensioni mesatar, sepse euro ishte 140 lekë, nuk ishte narko-euro, në atë kohë narko-eurot nuk bënin ligjin në ekonomi, pra në 12 vjet, sot çdo pensionist merr 30 përqind më pak po të kemi parasysh edhe kursin e këmbimit.
E vërteta është se çmimet e ushqimeve bazë janë rritur, dhe janë krahasuar me çmimet në vendet e BE, nga 10 në 250 përqind më të larta.
Në vijim, Berisha theksoi “bëhet tenderi, shembulli, tuneli i Llogarasë, ofrohet kompani me 130 milionë euro, jo, thotë, nuk fiton. Përsëritet tenderi, fiton kompania me 180 milionë euro, e ndërton po kjo kompani që pruri 130 milionë euro. U them unë që në mënyrë absolute çdo tender në këtë mënyrë e bëjnë. Sill kaq ofertën ti dhe pastaj e ndajmë bashkë. Pastaj ku mbetet për pensionistët? Bëhet qameti po të shtojmë fondin tek pensionistët. Ky është cinizëm ekstrem”.