Popullsia në Kosovë është tkurrur: Agjencia e Statistikave atje njoftoi se rreth një milionë e 600 mijë banorë morën pjesë në procesin e regjistrimit, i cili u përmbyll javën që shkoi, e kjo shifër nuk përfshin diasporën. “Të dhënat e fundit sa i takon diasporës janë rreth 600 mijë dhe pritjet janë që të rritet edhe më shumë ky numër sepse afati për ta është zgjatur deri me 31 gusht”, tha Avni Kastrati nga ky institucion, i cili sqaroi se shifrat më të larta të regjistrimit i ka kryeqyteti. Analizimi i të dhënave tregon se praktikisht, niveli i popullsisë në Kosovë ka rënë rreth tetë për qind krahasuar me procesin e fundit të regjistrimit të zhvilluar para 13 vjetësh, ku kishin marrë pjesë një milionë e 740 mijë banorë. Sipas Kastratit, procesi i regjistrimit ka qenë vecanërisht sfidues në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe. Subjekti më i madh politik i serbëve të Kosovës, që është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi – Lista Serbe, që në nisje të këtij procesi i bëri tirrje këtij komuniteti që ta bojkotonte regjistrimin e popullsisë.“Në disa zona komuniteti serb nga aspekti politik u ka bërë një lloj trysnie regjistruesve dhe ne prapë kemi rimarrë regjistrues në shumë zona serbe deri në tri herë kemi trajnuar dhe lëshuar në terren regjistrues. Tek javën e fundit komuniteti serb duke parë që është e nevojshme të regjistrohen është angazhuar”, u shpreh ai. Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2 mijë euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds