190 milionë lekë të reja ose 19 milionë euro ka qenë buxheti i vitit 2024 që është miratuar sot në mbledhjen e fundit të vitit të këshillit bashkiak Lushnje. Me një rritje prej rreth 4 milionë euro krahasim me buxhetin e vitit të shkuar, 24 këshilltarë të majtë votuan projektbuxhetin ndërsa 6 nga këshilltarët e djathtë votuan kundër.
Ky projektbuxhet në qëndër të tij me rreth 54% shkon për pagat dhe sigurimet e punonjësve të bashkisë.
Gjatë mbledhjes pati kundërshti nga ana e këshilltarëve jo vetëm të opozitës por edhe të mazhorancës për investime të cilat kanë pritshmëri nga komuniteti. Kryetarja e bashkisë Lushnje zonja Eriselda Sefa e cilësoi buxhetin mjaft transparent dhe tha se drejtoria e financave ka bërë një punë të mirë në mbledhjen e të ardhurave.
Nga ana e tij kryetari i opozitës në këshillin bashkiak Lushnje zoti Klement Çela e ka argumentuar votën kundër të opozitës me numrin e lartë të të punësuarve dhe disa faktorë të tjerë.
Fryrje e administratës dhe punësime si dhe transferta fondesh nga 2024 për 2025 në mbi 180 milionë lekësh faktojnë përgatitjet për zgjedhjet e majit.
