Rreth 90% e vajzave 13- vjeçare i janë përgjigjur thirrjes për vaksinimin HPV në harkun kohor të katër viteve në Fier. Kjo vaksinë e re është mirëpritur nga prindërit që në momentin e parë , në vitin 2022, dhe tendenca ka qënë në rritje nga viti në vit. Mjekja Blerta Muskaj, pohon se vetëm në qëndrën shëndetësore numër 1 përgjatë katër viteve ka patur interes të lartë për vaksinën HPV ku janë regjistruar 305 raste vaksinimi, teksa ka theksuar se nuk kanë munguar edhe refuzimet.

Muskaj ka pohuar gjithashtu se kjo vaksinë tashmë është bërë pjesë e Kalendarit Kombëtar të vaksinimit edhe për djemtë, por pavarësisht kësaj në Fier, prindërit duke qënë të ndërgjegjshëm për benefitet e vaksinës, ua kanë aplikuar edhe më herët duke e blerë privatisht.

Mjekja Muskaj tregon gjithashtu se efektet anësore të vaksinës HPV janë të ngjashme me të vaksinave të tjera dhe kalojnë lehtë, pa komplikacione  ndërsa ka apeluar për të gjithë prindërit skeptikë , të mos hezitojnë tua aplikojnë fëmijëve të tyre pasi parandalon disa lloje kanceri, teksa ka theksuar se 13- vjeçarët nuk kanë qënë të painformuar për efektet e vaksinës pasi paraprakisht është bërë një punë e mirë edukuese me ta.

Ndërkohë sipas informacioneve të marra pranë Institutit të Shëndetit Publik në Fier, nga tre bashkitë Fier,  Roskovec dhe Patos, ky i fundit ka patur interesin  më të lartë për aplikimin e vaksinës HPV, ndjekur nga Roskoveci e më pas Fieri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *