Kievi tha të mërkurën se Rusia kreu sulmin më të madh me raketa dhe dronë gjatë pushtimit mbi trevjeçar të Ukrainës, duke goditur kryesisht perëndimin e saj. Forca ajrore e Ukrainës tha se Rusia sulmoi me 728 dronë dhe me 13 raketa, duke shtuar se sistemet e mbrojtjes ajrore ukrainase penguan 711 dronë, dhe se të paktën shtatë raketa u shkatërruan. “Ky është sulm tregues, i cili ndodhi pikërisht në kohën kur po bëhen aq shumë përpjeke për të arritur paqe, për të arritur armëpushim. Por, vetëm Rusia po vazhdon t’i minojë ato”, shkroi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në mediat sociale. Ai u bëri thirrje aleatëve që të ashpërsojnë sanksionet ndaj Rusisë, veçanërisht duke goditur sektorin e saj të energjisë, një rrjedhë e rëndësishme të ardhurash për arkën e luftës të Rusisë. “Partnerët tanë dinë se si të ushtrojnë trysni në një mënyrë që do ta detyrojë Rusinë të mendojë për përfundimin e luftës, e jo për kryerjen e sulmeve të reja”, shtoi Zelensky. Autoritetet ukrainase thanë se Moska i kishte përqendruar sulmet në qytetin veriperëndimor të Lutskut, afër kufirit ukrainas me Poloninë dhe Bjellorusinë. Qyteti perëndimor i Khmelnytskyi u shënjestrua gjithashtu. Dëme u raportuan në qytete të mëdha, duke përfshirë Kievin, Dnipro, Kharkiv dhe Mykolaiv, së bashku me disa rajone të tjera në Ukrainën verilindore, qendrore dhe jugore. Sulmi i fundit ia kaloi rekordit të mëparshëm rus prej 550 dronësh dhe raketash, të lëshuara më herët këtë muaj. Ai ndodhi pasi Shtetet e Bashkuara ndryshuan qëndrim për sa i përket reduktimit të furnizimit të Ukrainës me armë. “Rusia e kreu këtë sulm pasi SHBA-ja deklaroi publikisht se do të na furnizojë me armë”, tha shefi i stafit të presidentit ukrainas, Andriy Yermak, në mediat sociale.