6 objekte antike 2400 vjeçare, ndodhen në oborrin e Katedrales së Shën Gjergjit në Fier. Një kolonë cilindrike e përbërë prej material guri gëlqeror sipas historianit Ilirjan Gjika mendohet se është sjellë nga rrënojat e Apolonisë së bashku me objekte të tjera, të përdorura si spolie në muret e kishës së dikurshme të Shën Gjergjit dhe sot kjo kolonë antike është e vetjma shenjë në natyrë e mbetur prej saj. E vetmja provë që dëshmon vjetërsinë e saj është një foto kartolinë e viteve 1930, ndërsa në atë kohë kolonës i mungonte vetëm selvia e cila duhet të jetë mbjellë më vonë, ndërsa sot ato “ bashkëjetojnë” me njëra- tjetrën duke u bërë pjesê e ansamblit ndërtimor të kishës së “ Shën Gjergjit”.
5 objektet e tjera janë zbuluar një vit më parë gjatë punimeve për ndërtimin e Mitropolisë së re.
Ndërkohë At Dhimitër Loshi tregon se sipas historianëve trualli i kishës së Shën Gjergjit prej shekujsh mendohet të ketë qënë varrezë , ndërsa sipas tij kolona cilindrike mendohet të ketë qënë një ndër kolonat e tryezës së shenjtë, ndërsa 5 objektet e zbuluara një vit më parë janë përdorur si gurë varri.
Ndërkohë për historianin Gjika këto objekte, më të vjetrat e qytetit të Fierit, duhet të bëhen pjesë e guidave turistike dhe të shërbejnë si pikë referimi veçanërisht për turet e turistęve të huaj.
