597 maturantë të bashkisë Lushnjë zhvilluan sot provimin e fundit të Maturës Shtetërore 2025, provimi në një lëndë të zgjedhur, në varësi të profilit të ndjekur gjatë shkollës së mesme.
Testimi nisi në orën 10:00 në katër shkolla, ku janë zhvilluar edhe provimet e mëparshme të Maturës Shtetërore: Gjuhë e Huaj, Gjuhë Shqipe dhe Matematikë, në shkollat “18 Tetori”, “Skënder Libohova”, “4 Dëshmorët” dhe “Vath Korreshi”. Provimi zgjati 2 orë e 30 minuta, nënësit u paraqitën në orën 8:00, vetëm me kartë identiteti dhe stilolaps në dorë.
Lëndët e përfshira në këtë provim ishin të ndara në disa fusha: Shkencat e Natyrës (Kimi, Fizikë, Biologji), Shkencat Shoqërore (Histori, Gjeografi, Qytetari dhe Psikologji, Filozofi, Sociologji), si dhe Ekonomia dhe Artet (Ekonomi, Histori Arti, Histori Muzike, Histori Baleti).
27 mijë maturantëve në të gjithë vendin iu është ndaluar rreptësisht mbajtja e telefonave apo orëve inteligjente dhe çdo pajisjeje tjetër teknologjike gjatë testimit.
Testi u plotësua me stilolaps me një ngjyrë të vetme dhe maturantët firmosën në momentin e marrjes dhe dorëzimit të testit. Maturantët nuk u lejuan që të largoheshin nga sallat e provimit para orës 12:30.
Për korrigjimin e testeve janë angazhuar mbi 640 mësues, ndërsa vetë procesi i hartimit, administrimit dhe vlerësimit është mbikëqyrur nga Qendra e Shërbimeve Arsimore. Ministria e Arsimit këtë vit realizoi edhe teste të personalizuara për nxënësit me aftësi ndryshe.
Edhe në këtë provim u publikuan tezat e lëndëve me zgjedhje, në rrjetet sociale ndërkohë me këtë provim Matura Shtetërore 2025 konsiderohet e mbyllur zyrtarisht.