Kompanitë e sigurimit kanë paguar gjithsej 48 mln euro dëme në periudhën janar-korrik 2025, pjesa më e madhe e të cilave për makinat e dëmtuara nga përplasjet.
Të dhënat e fundit të përcjella nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, tregojnë se shoqëritë e sigurimit kanë paguar rreth 32 mln euro për automjetet me policë sigurimi.
Pagesat e dëmeve janë rritur me vetëm 1% krahasuar me periudhën janar-korrik 2024, ndërsa numri i dëmeve të paguara është rritur me 2,200, duke arritur në 44,500.
Meqë numri më i madh i kontratave dhe primeve të shkruara bruto është regjistruar për sigurimet që nuk lidhen me shëndetin por me pronat, bizneset dhe automjetet, edhe vlera e dëmeve të paguara është më e lartë në këtë segment.
Kështu, rreth 46 mln euro dëme janë paguar për sigurimin motorik, të pronës dhe aktivitetet e tjera që nuk lidhen me jetën e individit, ndërkohë që vetëm 2 mln euro janë dëme të paguara nga sigurimi i jetës.
Nga ana tjetër, dëmet pezull si sigurues i drejtpërdrejtë, pra ato që janë të papaguara akoma, që janë në proces vlerësimi ose që janë objekt i çështjeve gjyqësore, kanë pësuar rritje.
Sipas Institutit të Statistikave, në shtatë muajt e parë të vitit janë shënuar 16% më pak aksidente rrugore se në të njëjtën periudhë të 2024. Si rezultat i numrit më të ulët të aksidenteve të shkaktuara, edhe pagesat e dëmeve kanë qenë më të vogla.
