Kryeministri Edi Rama ka uruar sot Ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe.
Rama e cilësoi këtë ditë si vulosjen e shqipes, jo vetëm si kod gjuhësor, por si një univers identiteti, mendimi dhe kulture, duke theksuar se gjuha është themeli më i fortë i lidhjes kombëtare.
“Gëzuar Ditën e Alfabetit, ditën që vulosi shqipen jo vetëm si kod gjuhësor, por si një univers identiteti, mendimi e kulturash në rrugën drejt së ardhmes ku fjala shqipe vazhdon të ndërtojë historinë e një kombi që shpirtin e ka te gjuha”, shprehet Rama
Në një postim në rrjetet sociale, lidhur me këtë ngjarje të shënuar ka reaguar edhe Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
“Gëzuar Ditën e Alfabetit të gjuhës sonë të bukur, të shkruar me gërma gjaku dhe sakrifica nga patriotët e kombit.
Nderim dhe mirënjohje Rilindasve të vërtetë, të cilët në Kongresin e Manastirit, vendosën gurin themeltar të bashkimit tonë kulturor duke njëhsuar Alfabetin shqip dhe duke hapur rrugën drejt Pavarësisë.
Gjuha është themeli i çdo kombi, ndaj mbrojtja dhe kultivimi i saj është mbrojtje e vetë identitetit tonë kombëtar.
Lavdi të përjetshme Kongresit të Manastirit që i dha jetë Alfabetit tonë dhe përjetësoi gjuhën shqipe”, shprehet Meta.

SOT, DITA E ALFABETIT
Sot, 22 nëntor shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, i cili u njësua në Kongresin e Manastirit.
Kongresi i Manastirit ishte një kongres kombëtar, i cili u mbajt në Manastir më 14 nëntor deri më 22 nëntor të vitit 1908. Kongresi i Manastirit vlerësohet si kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike e kulturore të shqiptarëve në fillim të shek. XX.
Ky kongres u mbajt për të shqyrtuar disa çështje të rëndësishme të lëvizjes kombëtare, ku në radhë të parë u paraqit me rëndësi shqyrtimi i çështjes së alfabetit të gjuhës shqipe. Në të morën pjesë 50 delegatë të shoqërive, klubeve dhe organeve kombëtare të trevave shqiptare.
Kongresi ngriti një komision prej 11 delegatësh ku Gjergj Fishta u zgjodh kryetar komisioni. Në këtë komision ishin anëtarë: N. Mjeda, Gj. Qiriazi, M. Frashëri, S. Peci, Sh. Kolonja, L. Gurakuqi, Dh. Buda, B.Topulli, N.Vrioni, G.Cilka.
Pas mjaft diskutimesh u krijua një alfabet i ri, i mbështetur i tëri në alfabetin latin. Në fund komisioni dhe Kongresi vendosën që të lejohen si përdorimi i alfabetit të Stambollit, që kishte një përhapje të gjerë, ashtu dhe alfabeti i ri.
Brenda pak vitesh alfabeti i ri u bë alfabeti i përbashkët e i vetëm për gjithë shqiptarët, që është alfabeti i sotëm i gjuhës shqipe.
Në këtë Kongres u morën vendime të rëndësishme për çështjen e alfabetit e për ato politike, që ndihmuan për ngritjen në një shkallë më të lartë të kulturës e të arsimit shqiptar, si edhe për bashkimin e tij të mëtejshëm në luftën për çlirimin kombëtar.
