Gjatë orëve të fundit, në disa rajone të Shqipërisë janë identifikuar 16 vatra zjarri, një numër që dëshmon për përkeqësimin e situatës në terren si pasojë e temperaturave të larta dhe thatësirës së tejzgjatur. Pjesa më e madhe e vatrave janë shuar, por një prej tyre vijon të jetë aktive, ndërsa një tjetër është nën monitorim.

Zjarri që mbetet aktiv ndodhet në fshatin Dhores të Bashkisë Skrapar, ku ekipet e emergjencës dhe forcat operacionale po punojnë në terren edhe gjatë ditës së sotme për ta izoluar dhe shuar përfundimisht. Ndërkohë, në zonën e Gurë-Lurës në Parkun Kombëtar të Lurës, bashkia Dibër, pas ndërhyrjes së menjëhershme zjarri është vënë nën kontroll, por mbetet nën vëzhgim për të siguruar që nuk do të rikthehet.

Ndërkohë, janë shuar zjarre në disa zona të tjera të vendit, përfshirë malin e Allushit në Bulqizë, rrugën Delvinë–Kardhiq, fshatrat Gumenicë dhe Bolenë në jug të vendit, si dhe në zona të populluara si Çole në Vlorë, Rrogozhinë, Kavajë, Lezhë, Korçë dhe Maliq. Fatmirësisht, në shumicën e rasteve është arritur të parandalohet përhapja e flakëve në banesa apo zona të mbrojtura natyrore.

Në operacionet për përballimin e kësaj situate janë angazhuar 16 automjete zjarrfikëse, 142 forca operacionale dhe 15 efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët po punojnë në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet vendore për të siguruar kontroll të plotë mbi çdo vatër të mundshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *