Kryebashkiakët në Patos ua lenë vendin njëri – tjetrit, por për rrugën “Luigj Gurakuqi”, të lagjes ” 29 Marsi” që është e amortizuar, pa ndriçim, me erën e ujrave të zeza që kanë dal në rrugë dhe ku jetojnë 100 familje prej 20 vjetësh, nuk jepet zgjidhje.
Banorët thonë se kanë vite që ankohen për këtë situatë, por askush nuk e zgjidh. Një pjesë e banorëve i kanë nxjerrë banesat në shitje ose kanë ikur, sepse kur hap dritaret në mëngjes mbytesh nga era e rëndë e ujërave të zeza.
Ata thonë që nuk besojnë më, se çdo fushatë elektorale deputetët dhe kryetarët e bashkisë vijnë, premtojnë, ikin dhe nuk bëjnë asgjë.
Ujërat e zeza grumbullohen për shkak të terrenit në banesat e lagjes “29 Marsi”. Pranë tyre kalon magjistrali i ujrave të zeza dhe bashkia nuk ka fonde për ta devijuar.
