Presidenti amerikan Donald Trumpi me një fjalim përmblodhi arritjet e tij gjatë 100 ditëve të para në detyrë, gjithashtu ai kritikoi armiqtë politikë. Trampi tha se me këtë mandat të dytë ai do të sjellë një “ndryshim rrënjësor”.
“Jemi këtu sonte, në zemër të kombit tonë për të festuar 100 ditët e para më të suksesshme të çdo administrate në historinë e vendit. Ne sapo kemi filluar. Nuk keni parë gjë akoma”. Presidenti amerikan vuri në lojë paraardhësin, Joe Biden, kritikoi kryetarin e Rezervës Federale të SHBA-së, dhe kumdërshtoi fuqishëm sondazhet që tregojnë rënie të popullaritetit të tij. Politikat e rrepta të emigracionit të administratës së tij republikane kanë sjellë vërtet një rënie të ndjeshme të numrit të klandestinëve që kalojnë kufirin, por ato i kanë tendosur nga ana tjetër shumë fort kufijtë e gjyqësorit, ndërsa taksat proteksioniste të importit të vendosura ndaj partnerëve tregtarë të Amerikës synojnë riorganizimin e ekonomisë globale që vetë SHBA-ja ndërtoi në dekadat pas Luftës së Dytë Botërore, duke rrezikuar një luftë me përmasa të mëdha tregtare. Duke folur në qendrën e industrisë automobilistike të Amerikës, Trump insistoi megjithatë se firmat e makinave po “viheshin në radhë” për të hapur fabrika të reja prodhimi në shtetin e Mesperëndimit. Më herët gjatë ditës, ai përdori tone të zbutura për një element kyc të planit të tij ekonomik – tarifat për importin e makinave dhe pjesëve të makinave të huaja – pasi prodhuesit amerikanë të makinave paralajmëruan për rrezikun e rritjes së çmimeve.